Përditësue s'fundi më E hanë, 02 Shkurt 2009 15:43
Fredi dhe Eva:

U martuam në vitin 1972 dhe na lindën tre djem të mrekullueshëm. Atyre që na shihnin u linim përshtypjen e një familjeje në harmoni, megjithëse marrëdhënia jonë ishte plotpërplot me konflikte të pazgjidhura. Eva vuante shpesh nga depresioni dhe Fredi përpiqej në fshehtësi të mbushte boshllëkun e martesës së tij me marrëdhënie të tjera.
Si përfundim divorci dukej e vetmja zgjidhje.
Në atë kohë djemtë tanë qenë 6, 9 dhe 11 vjeç dhe ata e vuajtën shumë ndarjen e familjes dhe ne si prindër nuk i trajtuam hapur problemet që shkaktoi divorci te ta.
Perëndia ndërhyn
Tomasi, djali ynë më i madh, në moshën 17 vjeçare, largohet për në Xhamaikë për një shkëmbim eksperience studentore, duke u përpjekur të harrojë marrdhëniet e prishura në familje. Aty Perëndia e takon. Studentët dhe mësuesit e ndihmojnë të vendosë besimin te Jezu Krishti. Kur kthehet në Zvicër, ai përball familjen e tij me besimin e tij të fortë në Perëndinë e biblës.
Në fillim jemi paksa dyshues por me kalimin e kohës mrekullohemi dhe jemi më të hapur ndaj fjalës së Perëndisë dhe shpëtimit përmes Jezu Krishtit. Fatmirësisht Tomasi ka një lidhje të fortë me babain, që është i përfshirë edhe ai në këtë proces. Njëri pas tjetrit vendosim të kapemi te dora shpëtuese e Perëndisë, në Jezu Krishtin. Perëndia na drejton përmes një procesi shërimi dhe restaurimi. Një vit pas kthimit të Tomasit, të gjithë ne pagëzohemi si një shenjë e përkushtimit tonë ndaj Jezu Krishtit.
Nje nisje të re
Të dy ne e dinim se diçka thelbësore nuk po ecte; ngaqë ishim të divorcuar na dukej e pamundur të mësoheshim prapë me jetën martesore. Megjithatë një siguri po rritej brenda nesh: Perëndia donte që të rimartoheshim dhe donte të shëronte familjen tonë. Pas 10 vjetësh të divorcuar, guxuam ta hidhnim këtë hap, plot ankth; ndiheshim si Pjetri kur doli nga varka thjesht duke i besuar Jezusit që ujërat do t’a mbanin. Dhe Perëndia nuk na la në baltë. Pas hapit tonë të bindjes, ai na dha një dashuri të freskët për njëri-tjetrin. Festuam 10 vjetorin tonë të martesës së dytë dhe bëmë përsëri betimet e martesës. Në këta 10 vjet të martesës sonë të dytë, kemi parë sesi na ka ndihmuar Perëndia. Ishim të njëjtët persona si më parë, mënyra e të sjellurit tonë dhe problemet nuk ishin zhdukur dhe ishin një sfidë e vazhdueshme; e megjithatë morëm ndihmë në këshillim dhe Perëndia shëroi lëndimin e zemrave tona në një nivel të thellë. Zbuluam fuqinë e të luturit së bashku: sa herë dukej se kishte mure mes nesh, luteshim së bashku, i çonim nevojat tona para fronit të Perëndisë. Këto kohë lutjeje bënë që muret e ndarjes të rrëzoheshin. Sot ne mund të dëshmojmë që me hirin e Perëndisë, kemi një martesë të shkëlqyer dhe jemi në gjendje për të qenë inkurajim për shumë të tjerë.
Tani, me moshë 61 dhe 65 vjeç, morëm thirrjen nga Perëndia për mision në Shqipëri. Duke qenë atje disa herë për projekte ungjillizuese, po hyjmë në një projekt të ri me familjen Reichert, projekti “Dimensione të Reja” -duke ecur përsëri në ujë në dimensione të reja. Dëshira jonë është t’u shërbejmë besimtarëve shqiptarë si prindër shpirtërorë, duke forcuar besimin e tyre dhe duke i ndihmuar të çlirohen për të plotësuar thirrjen që u jep Perëndia.